Gazetarët vizitojnë Shemsedin Abazin “Shemën” në Spitalin e Gjilanit

Legjenda e futbollit gjilanas Shemsedin Abazi “Shema” në spital, përballet me gjendje të rëndë shëndetësore

Një grup gazetarësh lokalë nga Gjilani kanë vizituar ish-futbollistin e mirënjohur Shemsedin Abazi – “Shema” në repartin e Pulmologjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku ai po trajtohet nga stafi mjekësor për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Shema ka më shumë se një javë që është i shtrirë në këtë klinikë, ndërsa gjatë vizitës së gazetarëve u bisedua për gjendjen e tij shëndetësore dhe u evokuan edhe disa kujtime nga koha e lavdishme e karrierës së tij në futboll.

Ai shprehu mirënjohje të thellë për vizitën e gazetarëve, duke i falënderuar për interesimin dhe kohën që kanë gjetur për ta vizituar në spital.

Shemsedin Abazi, i njohur si “Shema”, ishte një nga sulmuesit më të mirë të futbollit gjilanas dhe kosovar gjatë viteve ’70 dhe ’80.

Numri 7 i ish-klubit Crvena Zvezda ishte i njohur për shpejtësinë, driblimet dhe instinktin e tij të jashtëzakonshëm para portës kundërshtare. Ai madje ishte shpallur edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit në sezonin 1979/80.

Përveç suksesit me klubet gjilanase, Abazi ishte edhe anëtar i Reprezentacionit të Kosovës, duke dëshmuar vlera të larta sportive dhe duke ngritur në këmbë tifozët me paraqitjet e tij në fushë.

Megjithatë, sot legjenda e futbollit po përballet jo vetëm me gjendje të rëndë shëndetësore, por edhe me vështirësi në jetën e përditshme.

Ai jeton në një banesë me qira, ndërsa për të arritur deri në banesë duhet të ngjisë rreth 70 shkallë, gjë që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore është shumë e vështirë.

Madje, siç bëhet e ditur, ndodh që për disa muaj të mos dalë fare nga banesa, pasi shkallët janë një pengesë e madhe për të, ndërkohë që ai detyrohet të mbajë edhe pompën e frymëmarrjes për shkak të problemeve shëndetësore.

Historia e Shemës mbetet një kujtesë e fortë për kontributin e madh që ai ka dhënë në futbollin kosovar, por edhe një thirrje për më shumë kujdes dhe mbështetje për sportistët që dikur i dhanë shumë sportit dhe qytetit të tyre.

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët