Hambari gjigant i “Kualitetit” që dikur mbante miliona kilogramë grurë, sot i harruar mes ndërtesave

Nga gjigant industrial në objekt i harruar,  historia e fabrikës “Kualiteti” në Gjilan

Fabrika e bukës dhe miellit “Kualiteti” në Gjilan dikur renditej ndër më të mëdhatë e këtij lloji në Kosovë.

Përveç prodhimit të bukës dhe miellit, ajo kishte të planifikuara edhe rezerva strategjike të drithit, madje në nivelin më të lartë të asaj kohe, atë federativ.

Sipas njohësve dhe ish-punonjësve të kësaj fabrike, vetëm hambari i saj kishte kapacitet prej rreth 1300 vagona grurë.

Këto rezerva federative ishin të planifikuara të mbaheshin gjithmonë të mbushura, si një garanci për situata emergjente.

Duke pasur parasysh se një vagon, si njësi e vjetër matëse, përmban rreth 10,000 kilogramë, rezulton se hambari ka pasur kapacitet për afro 13 milionë kilogramë grurë – një shifër që dëshmon rëndësinë strategjike që kishte kjo fabrikë dikur.

Sot, ky hambar ka mbetur i rrethuar nga ndërtesa të larta banimi dhe nuk shfrytëzohet për asnjë funksion.

Ndërkohë, fabrika e bukës dhe miellit “Kualiteti” është privatizuar prej kohësh nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke lënë pas një histori të rëndësishme industriale që tashmë i përket së kaluarës.

Përtej kapaciteteve të mëdha dhe rolit strategjik, kjo fabrikë ishte edhe një burim i rëndësishëm punësimi për qindra qytetarë të Gjilanit.

Ajo përfaqësonte jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe siguri sociale për shumë familje.

Sot, kujtimi për “Kualitetin” mbetet dëshmi e një kohe kur industria lokale kishte peshë të madhe në jetën e përditshme, duke lënë pas një boshllëk që ende ndjehet.

 

Shpërndaj me të tjerët