A do t’i bëjë “asist” Gjilani Dritës dhe a do të “ndizet” lufta për titull në javën e 28-të?

Java e 28-të e Superligës së Kosovës në futboll mund të jetë vendimtare në garën për titull, me dy ndeshje që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në renditje.

Kampionia aktuale, Drita, që aktualisht kryeson tabelën me 51 pikë, e pret Ferizajn, i cili renditet në vendin e shtatë me 32 pikë, dhe konsiderohet favorite në këtë përballje.

Pavarësisht kësaj, drejtuesit, shtabi teknik dhe lojtarët janë të përqendruar maksimalisht, duke synuar vetëm fitoren që do t’u siguronte tri pikë shumë të rëndësishme.

Në anën tjetër, Gjilani, që mban vendin e katërt me 42 pikë, përballet me një sfidë të vështirë në Suharekë, ku do të ndeshet me Ballkanin, skuadrën e vendit të dytë me 48 pikë.

Një përballje e fortë, por jo e paarritshme për gjilanasit.

Sipas bankinës së Gjilanit, ndeshja është analizuar në detaje dhe ekipi udhëton me optimizëm, duke besuar se mund të marrë rezultat pozitiv, pavarësisht terrenit.

Nëse Gjilani arrin fitore, jo vetëm që do t’i bëjë një “asist” të madh rivalit lokal, Dritës, por edhe do të futet vetë fuqishëm në garën për titull.

Në këtë skenar, nëse fiton edhe Drita, diferenca ndaj Ballkanit do të shkonte në +6 pikë, ndërsa Gjilani do ta ulte diferencën me Ballkanin në vetëm tri pikë, duke e bërë edhe më interesante dhe të hapur luftën për titull.

Në fund, gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës, aty ku do të vendoset nëse Gjilani do t’i japë një “asist” Dritës dhe nëse gara për titull do të marrë një kthesë edhe më dramatike.

Shpërndaj me të tjerët