Ish Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Gjilan, ku e ka nisur ditën me një takim frymëzues me gratë e këtij qyteti.
Ajo zhvilloi një bashkëbisedim në restaurantin Nanat, një biznes i udhëhequr nga Qëndresa dhe Liria, duke vlerësuar rolin e grave në zhvillimin e shoqërisë.
Gjatë takimit, Osmani theksoi rëndësinë e diskutimeve të hapura për sfidat reale me të cilat përballen gratë çdo ditë, si dhe nevojën për krijimin e hapësirave ku ato mbështesin njëra-tjetrën me besim, solidaritet dhe kurajo.
Ajo vlerësoi lartë rolin e grave dhe nënave shqiptare, duke i cilësuar ato si shtyllë të familjes dhe të shtetit, si dhe burim të fuqishëm të qëndrueshmërisë dhe zhvillimit shoqëror.
Sipas saj, gratë e Gjilanit kanë dëshmuar historikisht dinjitet, mençuri dhe një kontribut të çmuar në çdo etapë të historisë së vendit.

