Muhadin Haziri reagon për demolimin e një biznesi në Karadak: “Kjo është humbje për të gjithë ne”
Këshilltari komunal nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Muhadin Haziri, ka reaguar ashpër pas dëmtimit të një biznesi privat në zonën e Karadakut.
Bëhet fjalë për restorantin “Mrizi” në fshatin Pidiq, një hapësirë që sipas tij dikur ishte simbol i qetësisë, bukurisë dhe investimit me përkushtim, ndërsa sot është gjetur i dëmtuar rëndë dhe pothuajse i braktisur.
“Sot pashë nga afër një vend që dikur ishte simbol i qetësisë, bukurisë dhe investimit me shpirt , restoranti ‘Mrizi’ në zonën e Karadakut. Një hapësirë ku natyra dhe arkitektura ndërthureshin në mënyrë të përkryer, sot fatkeqësisht e gjen të thyer, të dëmtuar, pothuajse të braktisur si në kohë lufte,” ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se ky nuk është vetëm një sulm ndaj një biznesi privat, por një humbje për të gjithë komunitetin.
“Kjo nuk është vetëm një goditje ndaj një biznesi privat , kjo është një humbje për të gjithë ne. Dikush ka investuar kohë, mund dhe dashuri për ta ndërtuar atë vend, e çfarë bëjmë ne? E shkatërrojmë, pa arsye, pa ndërgjegje, pa menduar se po dëmtojmë vetveten dhe të ardhmen tonë,” theksoi ai.
ÇH0aziri ka ngritur shqetësimin për mungesën e kulturës dhe përgjegjësisë qytetare, duke pyetur deri kur do të vazhdojë një qasje e tillë ndaj pronës dhe natyrës.
“Deri kur do të vazhdojmë kështu? Deri kur do të mungojë respekti për hapësirat, për natyrën dhe për punën e tjetrit? Nuk ka rëndësi nëse objekti është aktiv apo jo dhe kujt i takon. Dëmtimi i tij është tregues i një problemi më të thellë, mungesës së kulturës dhe përgjegjësisë qytetare,” u shpreh ai.
Në fund, ai bëri thirrje për reflektim dhe kujdes të përbashkët ndaj hapësirave publike dhe private.
“Është koha të reflektojmë. Është koha të kuptojmë se ruajtja e këtyre vendeve është përgjegjësi e përbashkët. Sepse kur shkatërrojmë të bukurën, nuk i bëjmë dëm vetëm një objekti, i bëjmë dëm vetes,” përfundoi Haziri.

