Disa pamje të rralla nga objektivi i fotografit legjendar gjilanas, Afrim Kqiku, rikthejnë në kujtesë kohën kur derbi lokal Gjilani – Drita ishte më shumë se një ndeshje futbolli, ishte histori, krenari dhe identitet i qytetit.
Në ato vite, derbi nuk luhej vetëm në fushë, por jetohej për ditë të tëra.
Tifogrupet “Intelektualët” dhe “Skifterat” nisnin përgatitjet që një javë më herët, duke krijuar koreografi të veçanta dhe surpriza për publikun.
Ditën e ndeshjes, rrugët e qytetit mbusheshin me tifozë që brohorisnin për skuadrat e zemrës, ndërsa stadiumi kthehej në një arenë emocionesh të papërshkrueshme.
Nga tribunat jehonte zëri i tifozëve, duke i dhënë derbit hijeshi dhe madhështi të rrallë.
Sot, për shumë arsye, ky derbi ka humbur një pjesë të shkëlqimit të dikurshëm.
Megjithatë, ai mbetet një aset i çmuar i Gjilanit dhe një pjesë e rëndësishme e historisë sportive të qytetit, që nuk duhet të humbasë.
Ndërkohë, nesër rikthehet kjo përballje e madhe, një derbi tejet i rëndësishëm për të dyja skuadrat, që pritet të zgjojë sërish emocionet e vjetra dhe të rikthejë atmosferën që vetëm ky duel di ta krijojë.

