Kush është 16-vjeçari gjilanas që debutoi te Bayerni?

Futbolli kosovar po merr një tjetër lajm të madh nga diaspora. Bëhet fjalë për talentin 16-vjeçar Erblin Osmani, i cili ka bërë debutimin e tij për ekipin e parë të FC Bayern Munich.

Osmani, i lindur në vitin 2009, është me prejardhje nga Gjilani.

Familja e tij është nga  fshati Bukovik  dhe ka vite që jetojnë  në lagjen Arbëria në Gjilan.

Që nga mosha 6-vjeçare ai është pjesë e akademisë së Bayernit, duke kaluar nëpër të gjitha grupmoshat me sukses të jashtëzakonshëm.

Ai luan në pozitën e mesfushorit defanziv dhe është gjithashtu kapiten i përfaqësueses së Gjermania U17, çka dëshmon për potencialin dhe lidershipin e tij në fushë.

Me debutimin e sotëm, Osmani është bërë lojtari i tretë më i ri në historinë e Bayernit që aktivizohet me ekipin e parë, një arritje e jashtëzakonshme për një futbollist kaq të ri.

Pas suksesit të tij qëndron edhe përkrahja e madhe familjare. Babai i tij, Bashkimi, i cili ka qenë trajner i një ekipi për fëmijë në Gjermani, ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e Erblinit, duke e mbështetur në çdo hap të karrierës.

Për këtë debutim është shprehur shumë i lumtur dhe krenar edhe trajneri fizik gjilanas, Valdrin Rashiti.

Ai ka punuar me Osmanin për tre vite me radhë (2022–2024), gjatë pushimeve verore, duke e ndihmuar në rikthimin nga një lëndim.

Rashiti kishte zhvilluar stërvitje me talentin e ri në palestrën e tij VR CrossFit dhe në stadium, duke kontribuuar në formësimin e tij fizik dhe profesional.

Rashiti ka thënë se Osmani është punëtor, i disiplinuar, i thjesht dhe shume i kulturuar.

Debutimi i Erblin Osmanit konsiderohet si një moment krenarie për Gjilanin dhe gjithë futbollin shqiptar, duke paralajmëruar një të ardhme të ndritur për këtë talent premtues.

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët