PJESA II
Zejet sipas përkatësisë etnike
Në fund të periudhës osmane, çarshia e Gjilanit kishte një organizim të veçantë edhe sipas përkatësisë etnike.
Shqiptarët dominonin në zejet kryesore si nallbanë, kasapë, berberë, saraçë, dyfekçinj, furrtarë, terzi, plisaxhinj, zdrukthëtarë, tabakë e sahatxhinj.
Ndërkohë, serbët merreshin me litarpunim, teneqepunim, këpucëtari e profesione të tjera, ndërsa romët njiheshin kryesisht si farkëtarë dhe kallajxhinj.
Ndryshimet pas okupimit serb
Pas pushtimit serb të vitit 1912, zejtaria e Gjilanit u përball me ndryshime të mëdha. Vendosja e kolonëve serbë, malazezë dhe maqedonas ndryshoi strukturën etnike të qytetit dhe ndikoi drejtpërdrejt në ekonominë lokale.
Shumë punishte shqiptare u shkatërruan ose mbetën pa pronarë, ndërsa shumë familje u detyruan të shpërngulen.
Rënia e qytetit dhe e zejtarisë
Në fund të sundimit osman, Gjilani kishte afro 10 mijë banorë.
Pas luftërave ballkanike ky numër ra në 7.767 banorë, ndërsa në vitin 1921 zbriti në vetëm 6.727.
Bashkë me rënien e popullsisë u përgjysmua edhe numri i punishteve zejtare, ndërsa shumë profesione tradicionale u zhdukën.
Diskriminimi ndaj zejtarëve shqiptarë Politikat shtetërore favorizonin kolonët e ardhur, të cilët morën në dorë degët më fitimprurëse të ekonomisë.
Shqiptarët përballeshin me pengesa për të marrë leje pune apo për të hapur punishte të reja. Kjo periudhë shënoi një nga goditjet më të rënda për zejtarinë tradicionale të Gjilanit.
Shënim për lexuesit: Këto janë marrë në librin “Zejtaria e Gjilanit” e cila gjendet në shitje tek libraria “Alfabeti” afër shkollës “Thimi Mitko” dhe librarinë “Abetarja” përballë shkollës “Selami Hallaqi”. Në Prishtinë tek libraria “Artini-Toena” tek Instituti Albanologjik.
/Pjesa III vazhdon nesër/

