HISTORI SPORTIV/​30 vite nga titulli i parë i KB Dritës, triumfi i historisë, sakrifica e donatorëve dhe kujtimi për të ndjerët

Në kampionain 1996/97, pas një sezoni të jashtëzakonshëm plot sakrificë, vetëmohim dhe lojë cilësore, Klubi i Basketbollit Drita nga Gjilani shkroi emrin me shkronja të arta në historinë e basketbollit të Kosovës, duke u shpallur kampion i Kosovës për herë të parë.

​Ajo periudhë e viteve të 90-ta nuk ishte thjesht garë sportive, por një faqe e rëndësishme e rezistencës qytetare e kombëtare.

Ndeshjet zhvilloheshin nëpër salla e oborre të shkollave fillore e të mesme, pasi pushteti i orkestruar serb i asaj kohe nuk i lejonte sportistët shqiptarë të shfrytëzonin palestrat sportive.

​Në ato kushte mjaft të vështira të mbijetesës, një rol vendimtar e historik patën donatorët e KB Dritës, njerëz vullnetmirë e patriotë që ndanë mjete direkte nga xhepi i tyre personal për ta mbajtur gjallë klubin.

Pa asnjë përfitim material e me rrezikim të vazhdueshëm, ata financuan udhëtimet, pajisjet dhe organizimin e ndeshjeve, duke u bërë shtylla kryesore e atij suksesi historik.

Sakrifica e tyre financiare mundësoi që lojtarët dhe trajnerët të përqendroheshin në parket dhe ta shndërronin atë terren të improvizuar në arenë dinjiteti.

​Tri dekada më parë, kjo fotografi fiksoi në kohë gjeneratën e artë që ngriti lart trofeun e historisë.

Sot, ndërsa e shohim këtë imazh me krenari, ndjejmë edhe dhimbjen e mungesës për disa nga protagonistët e asaj arritjeje,  lojtarë dhe një  trajner që dhanë gjithçka në parket,  e që tashmë janë ndarë nga jeta.

​Mundit, djersës dhe kontributit të tyre profesional e njerëzor, si dhe mbështetjes së pashoq të donatorëve, KB Drita u përkulet gjithmonë me respekt të thellë.

Përkushtimi i tyre mbetet i skalitur përgjithmonë në themeltë e historisë së basketbollit gjilanas dhe kosovar.

Shpërndaj me të tjerët