Hyseni uron KB Dritën për rikthimin në Superligë

 “Klubi i zemrës u kthye aty ku e ka vendin”

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka uruar basketbollistët, drejtuesit e klubit dhe tifozët “Intelektualët” pas suksesit të madh të arritur sonte.

KB Drita u shpall kampione e Ligës së Parë dhe siguroi rikthimin në elitën e basketbollit kosovar pas katër vjetësh mungesë.

Drita triumfoi në ndeshjen kthyese të finales së play-off-it ndaj Proton Cable Prizrenit me rezultat të ngushtë 92-91, në sfidën e zhvilluar në ISP, Marigona Residence.

Ky sukses ka bërë që i pari i Gjilanit të reagojë menjëherë me një mesazh përgëzimi.

“KB Drita në Superligë! Pas shumë vitesh, klubi ynë i zemrës rikthehet aty ku e ka vendin”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.

Ai vlerësoi punën dhe angazhimin e palodhshëm të treguar gjatë gjithë sezonit, duke theksuar se Gjilani po i kthehet traditës sportive dhe se ky sukses është një lajm i madh për të gjithë qytetarët.

Hyseni uroi që ky rikthim të jetë vetëm fillimi i sukseseve të radhës në elitën e basketbollit tonë.

 

Shpërndaj me të tjerët