Ka nisur zyrtarisht ndërtimi i urës së shumëpritur që do të lidhë fshatrat Novosellë dhe Suharrnë me Zarbincën, një rajon ky i Malësisë së Bujanocit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili theksoi se ky projekt kishte mbetur i bllokuar në sirtarët e komunës që nga viti 2003.
Për më shumë se dy dekada, banorët e kësaj zone janë përballur me vështirësi të mëdha qarkullimi.
Gjatë stinës së rreshjeve të dendura të shiut e të borës, këto fshatra shpeshherë mbeteshin plotësisht të bllokuara dhe të izolura, pa pasur asnjë mundësi lëvizjeje.
Sipas kryetarit Pajaziti, ndërtimi i kësaj ure po zgjidh një problem jetik dhe të kamotshëm të komunitetit vendas.
Ai u shpreh se qeverisja lokale po vazhdon me projekte konkrete në teren për të rregulluar infrastrukturën e harruar prej vitesh dhe për t’ua lehtësuar e siguruar jetesën banorëve të këtyre lokaliteteve.
