Projekti më i madh i transformimit urban në historinë e Gjilanit, ai i Bulevardit dhe Administratës së re Komunale, ka kaluar zyrtarisht në fazën më intensive të ndërtimit në terren.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi.
Pas përfundimit të ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjes së plotë të brezit qendror, punimet po vijojnë me një dinamikë të jashtëzakonshme.
Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur të gjitha koordinimet e nevojshme administrative dhe teknike për të garantuar që projekti integral të zhvillohet sipas planifikimeve dinamike.
Ky investim kapital kap shifrën e rreth 18 milionë eurove dhe synon t’i japë Gjilanit një pamje moderne evropiane, duke përfshirë hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë të standardeve më të alta.
Përmes një deklarate për mediat, drejtori Flakron Rexhepi ka falënderuar ekipin profesional të drejtorisë për menaxhimin e këtij procesi kompleks, ndërsa u shpreh i prerë përballë kritikave politike.
“Përkundër tentativave të vazhdueshme politike për të krijuar zhurmë artificiale, përgjigja jonë mbetet e njëjtë: punë e pandalshme, standarde të larta dhe vendosmëri për të realizuar projektin që qytetarët e Gjilanit e kanë pritur me dekada,” u shpreh Rexhepi.
Sipas tij, punët po vazhdojnë me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë drejt finalizimit të këtij projekti që do të ndryshojë rrënjësisht pamjen e qytetit.
