Komuna e Kamenicës po synon të realizojë një projekt të veçantë që pritet ta kthejë këtë qytet në një pikë të rëndësishme për turizmin dhe edukimin mjedisor – Muzeun e Natyrës.
Gjatë ditës së sotme, kryetari i komunës Kadri Rahimaj, së bashku me ideatorë të projektit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, prezantuan master planin për “Bashqën”, hapësirë ku parashihen të ndërtohen disa përmbajtje të reja, ndër to edhe Muzeu i Natyrës.
Ky muze pritet të jetë një projekt unik, pasi Kosova ende nuk ka një muze të dedikuar për natyrën dhe kafshët e egra. Ideja për këtë projekt është përkrahur prej kohësh nga fotografi i natyrës dhe faunës, Arian Mavriqi, i cili ka qenë një nga iniciatorët e kësaj nisme.
Sipas prezantimit të bërë, Muzeu i Natyrës do të shërbejë jo vetëm për ruajtjen dhe prezantimin e biodiversitetit të vendit, por edhe si një hapësirë edukative për vizitorët dhe gjeneratat e reja.
Nëse projekti realizohet, Kamenica pritet të bëhet një destinacion i ri për vizitorë dhe turistë, duke ofruar një atraksion të veçantë që mungon aktualisht në Kosovë.

