KULTURË/Një ode poetike për magjinë e fjalës dhe dashurinë universale

Poezia “Ledhatare” e Avdush Canajt është një krijim i ngrohtë lirik ku dora e poetit shndërrohet në simbolin e vetë krijimtarisë dhe ndjeshmërisë artistike.

Përmes një gjuhe melodioze dhe metaforave me ngjyrim fëmijëror,  ku ylberi bëhet tren fluturues, retë anije dëshirash dhe rrokjet veshin petkun e muzikës, autori ndërton një botë magjike ku akti i të shkruarit nuk është thjesht punë me letrën, por një proces që mbjell dashuri në gjithë planetin dhe mban të gjallë pranverën e përhershme shpirtërore

LEDHATARE
AVDUSH CANAJ

Duart e mia janë ledhatare,
përkëdhelin faqet e fjalëve,
shkronjave ua krehin rimat,
melodi u falin rrokjeve valltare.

Dinë t’i çelin dyert e magjive
ku pemët bëjnë vargje,
tren që fluturon qiellit
është ylberushi,
ai shoku i gocave të shiut!
Lejleku kur prek retë me flatër
bëhen anije dëshirash!

Duart e mia
bëjnë fluturake vizatimi,
kahdo që shkojnë
falin dashuri për gjithë planetin.

Janë degë, duart e mia
ku zogjtë e vargjeve
bëjnë çerdhet me fijet beharore
të pranverës sime.

———
Gjilan,
30 korrik 2026

Shpërndaj me të tjerët