INFRASTRUKTURË / Kaos e gropa në rrugën “Abdullah Presheva”, banorët kërkojnë ndërhyrje emergjente

Ka dy javë që banorët e lagjes “Dheu i Bardhë” në Gjilan, përkatësisht ata që frekuentojnë rrugën “Abdullah Presheva”, po përballen me vështirësi të mëdha në qarkullimin e përditshëm.

Shkak për këtë është bërë gjendja e lënë pas përfundimit të punimeve në rrjetin e kanalizimit.

​Sipas denoncimeve të mbërritura nga banorët e kësaj lagjeje, rruga është lënë me gropa të hapura, pa u kthyer në gjendjen e saj të mëparshme.

Kjo situatë jo vetëm që po dëmton automjetet dhe po pengon lëvizjen e këmbësorëve, por po paraqet edhe rrezik direct për sigurinë e qytetarëve.

Banorët e konsiderojnë të papranueshme që pas përfundimit të punimeve infrastrukturore, terreni të braktiset pa u sanuar dhe pa u asfaltuar sipas standardeve të kërkuara.

Përmes një mesazhi dërguar redaksisë sonë (shoqëruar edhe me foto faktike nga terreni), qytetarët i bëjnë thirrje Komunës së Gjilanit dhe inspekcioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për sanimin e aksit rrugor.

​Banorët kërkojnë që kompanitë përgjegjëse të kryejnë obligimet e tyre deri në fund, në mënyrë që kësaj lagjeje t’i kthehet normaliteti dhe të shmangen aksidentet e mundshme.

Shpërndaj me të tjerët