GJILAN – Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Gjilan, Fadil Ademi, ka nisur sot takimet e rregullta javore me qytetarët e kësaj komune, me qëllim që të dëgjojë nga afër hallet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të përditshme.
Përmes një njoftimi, Ademi ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar, duke u zotuar se të gjitha çështjet e ngritura do t’i përcjellë në institucionet përgjegjëse.
Ai ka shtuar se do të angazhohet maksimalisht që për secilën kërkesë të merret përgjigje dhe të gjenden zgjidhje konkrete.
Këto takime do të mbahen çdo të premte, nga ora 10:00 deri në 12:00, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, derisa të përfundojë rregullimi i objektit të Kuvendit Komunal.
Këshilltari Ademi ka ftuar të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë hapësirë për t’i ndarë problemet e tyre, duke theksuar se kontakti i drejtpërdrejtë me ta do të vazhdojë në funksion të adresimit të nevojave të komunitetit.
