MADHËSHTORE / Gjilan Fest 2026 mbledh ansamblet më të mira mbarëshqiptare

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e edicionit të sivjetmë të “Gjilani Fest 2026”, Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës dhe Valles Popullore.

Ky manifestim i madh kulturor organizohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “GJILANI”, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Gjilanit.

Ky festival tradicional organizohet me rastin e Ditës së Çlirimit të Gjilanit dhe do të zgjasë tri ditë me radhë, më datat 13, 14 dhe 15 qershor.

Të gjitha aktivitetet qendrore do të zhvillohen në hapësirën para Teatrit të Qytetit në Gjilan, përkatësisht në Sheshin “Agim Ramadani”.

Në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor do të marrin pjesë ansamble dhe grupe artistike nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Pjesëmarrësit e këtij viti vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Mali i Zi, si dhe nga shtetet ku mërgata jonë është mjaft aktive, si Zvicra, Italia, Austria e Turqia, duke sjellë kështu një gjeografi të gjerë të kulturës shqiptare.

Sipas programit zyrtar, ngjarja do të jetë e ndarë në dy pjesë gjatë secilës mbrëmje. Çdo ditë, duke filluar nga ora 18:30, do të organizohet defileja e ansambleve nëpër rrugët e qytetit, ku qytetarët do të mund të shijojnë veshjet kombëtare shumëngjyrëshe dhe vallet tradicionale.

Ndërkaq, pjesa skenike dhe koncertet zyrtare do të fillojnë nga ora 20:00 në skenën e hapur në shesh.

Përmes këtij festivali, trupat pjesëmarrëse do të sjellin para publikut anamoravas vlerat më të mirëfillta të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kulturore.

Organizatorët u bëjnë ftesë të hapur të gjithë qytetarëve, artdashësve dhe bashkëatdhetarëve që të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe të traditës.

 

Shpërndaj me të tjerët