MORTORE/ Ndërron jetë Nexhmedin Ymeri, doajeni i gazetarisë dhe zëri legjendar i Radio Gjilanit

Gjilani ka humbur sot një nga figurat më të shquara dhe më të dashura të jetës publike e kulturore. Ka ndërruar jetë Nexhmedin Ymeri, i njohur si zëri legjendar i Radio Gjilanit dhe doajen i gazetarisë në Anamoravë. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e bënë të ditur familjarët përmes një njoftimi mortor.

Nexhmedin Ymeri la pas vete një trashëgimi të pasur. Përveç kontributit në gazetari, ai mbahet mend si komentatori i parë i ndeshjeve sportive në Gjilan dhe spiker i meçeve të boksit.

Gjatë viteve të vështira 1990–1999, ai u angazhua fuqishëm në jetën shoqërore dhe humanitare, duke qenë një nga themeluesit e Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve për Anamoravë, pjesëmarrës aktiv në shoqatën “Nënë Tereze” dhe anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Ymeri dha kontribut të çmuar edhe në arsim si mësimdhënës i gjuhës shqipe. Dashurinë për skenën e jetësoi në teatër, ku luajti si aktor nga viti 1971 deri më 1990, kur regjimi serb i dëboi artistët shqiptarë. Më pas, nga viti 2004 deri në 2014, ai shërbeu me sukses si menaxher i Teatrit të Qytetit në Gjilan, duke promovuar vazhdimisht kulturën dhe artistët lokalë.

Nexha mbetet një shembull i pasionit, mirësisë dhe përkushtimit të pakrahasueshëm për qytetin e tij.

Familja e të ndjerit, në mesazhin e saj të lamtumirës, ka shkruar:

“Me dhimbje tëllë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot, më 14.07.2026, pas një beteje me sëmundjen, ndërroi jetë babai ynë i dashur, Nexhmedin Ymeri. Me fjalë nuk mund të përshkruhen veprat dhe mirësia jote. Ato do të mbeten dëshmia më e bukur e jetës që ke jetuar. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës. Allahu të mëshiroftë dhe të shpërbleftë me Xhenetin Firdeus.”

Ceremonia e varrimit të të ndjerit do të bëhet nesër, e mërkurë, pas namazit të ikindisë, në orën 16:30.

 

Shpërndaj me të tjerët