ARSIM/ Përfundon me sukses Kupa e Anamoravës 2026, këta janë nxënësit fitues

Kumanova dhe Gjilani dominojnë në Kupën e parë të Anamoravës, shpallen fituesit e Olimpiadës Rajonale të Matematikës

Me ceremoninë përmbyllëse të mbajtur në Kamenicë, është mbyllur me sukses edicioni i parë i Olimpiadës Rajonale të Matematikës “Kupa e Anamoravës 2026”, e cila mblodhi 65 nxënës të talentuar nga Gjilani, Kamenica, Vitia, Novobërda, Presheva, Bujanoci, Kumanova dhe Shkupi.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë përfaqësues të institucioneve arsimore dhe organizatorët e aktivitetit, të cilët përgëzuan nxënësit për sukseset e arritura dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes së talenteve të rinj në matematikë.

Në kategorinë e parë, vendin e parë e fitoi Arbër Rrahmani nga Kumanova, vendin e dytë Unik Kryeziu nga Gjilani, ndërsa vendin e tretë Anik Spahiu nga Kamenica.

Në kategorinë e dytë, fitues u shpall Amar Hismoni nga Gjilani, vendin e dytë e zuri Diell Misini nga Vitia, ndërsa vendin e tretë Elea Hajrullahu po ashtu nga Gjilani.

Organizatorët shprehën mirënjohje për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Komunën e Kamenicës, sponsorët dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti.

“Kupa e Anamoravës 2026” shënoi edicionin e parë të kësaj gare rajonale, e cila synon të kthehet në një traditë të rëndësishme në promovimin e dijes, talenteve dhe ekselencës akademike në hapësirën shqiptare.

Shpërndaj me të tjerët