PINGPONG/ Gjilani  mposht kampionen në fuqi, Dritën

Java e dytë e garave ekipore në Superligën e Femrave ka folur tërësisht në gjuhën e klubit të pingpongut, KPP Gjilani-F.

Përmes një forme të shkëlqyer dhe një angazhimi maksimal, vashat gjilanase kanë arritur të korrin suksese mbresëlënëse, duke regjistruar katër fitore në po aq ndeshje të zhvilluara deri më tani.

Vëmendja kryesore e kësaj jave ishte te derbi lokal kundër Dritës, kampiones në fuqi. Në një përballje dramatike dhe me rivalitet të lartë, lojtaret e Gjilanit treguan karakter të fortë dhe shpirt garues, duke triumfuar me rezultat të ngushtë 4:3.

Kjo fitore jo vetëm që dëshmon rritjen e ekipit, por dërgon edhe një mesazh të qartë për pretendimet e tyre në këtë edicion garues.

Përveç suksesit në derbi, Gjilani-F tregoi fuqinë edhe ndaj ekipit të Prishtina-F, duke shënuar një fitore bindëse me rezultat 4:2.

Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë ecuri është fakti se i gjithë ekipi përbëhet nga lojtare vendase, të cilat po rivalizojnë denjësisht ekipet më me përvojë në vend.

Trajneri i KPP Gjilani, Naser Hasani, u shpreh tejet i kënaqur me paraqitjet e vashave, duke theksuar se përkundër përvojës jo shumë të gjatë, ato po dëshmojnë se janë konkurrente serioze në luftë  për titullin kampion.

Ai i përgëzoi lojtaret për përkushtimin e treguar, duke u uruar suksese të mëtutjeshme në rrugëtimin e tyre drejt majave të pingpongut kosovar.

 

Shpërndaj me të tjerët