PDK e Gjilanit kundër deponisë së mbeturinave inerte në Malishevë: Nuk do të lejojmë të rrezikohet e ardhmja e fshatit
Kryetari i PDK-së, Dega në Gjilan, njëherësh banor i fshatit Malishevë, ka reaguar kundër planit të Komunës së Gjilanit për hapjen e një deponie të mbeturinave inerte në këtë fshat.
Sipas tij, Komuna po vazhdon procedurat për realizimin e këtij projekti, i cili ka ngritur shqetësime serioze te banorët për ndikimin që mund të ketë në mjedis, hapësirën jetësore dhe burimet ujore të zonës.
Ai bëri të ditur se propozimi pritet të dalë për votim në seancën e Kuvendit Komunal më 26 qershor 2026, duke theksuar se PDK do ta kundërshtojë fuqishëm këtë iniciativë.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal që të mos e mbështesin një vendim që rrezikon interesin e qytetarëve dhe të ardhmen e kësaj zone”, ka deklaruar ai.
Njëkohësisht, ai ka ftuar Këshillin e Fshatit Malishevë dhe të gjithë banorët që të reagojnë kundër projektit, duke theksuar se Malisheva nuk duhet të shndërrohet në deponi.
Sipas tij, kjo zonë përfaqëson një nga pasuritë më të çmuara natyrore të fshatit dhe duhet të mbrohet me çdo mjet demokratik e institucional.
“Nuk do të qëndrojmë të heshtur përballë vendimeve që mund të cenojnë shëndetin publik, mjedisin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Malisheva duhet të mbrohet nga ky projekt që nuk duhet të kalojë”, përfundoi ai.
