PORTRET/Xhevat Aliu, jetë e përkushtuar ndaj arsimit, menaxhimit dhe shërbimit ndaj qytetarëve

Emri i profesor Xhevat Aliut lidhet ngushtë me përkushtimin profesional, disiplinën dhe punën e palodhshme në fushat e arsimit dhe punësimit në rajonin e Anamoravës. Me një karrierë të gjatë e të bujshme si mësimdhënës, drejtues institucionsh dhe veprimtar në periudha të vështira historike, ai mbetet një personalitet i çmuar dhe i respektuar nga gjithë komuniteti.

Formimi arsimor dhe etja për dije

​Xhevat Aliu lindi më 4 prill 1958 në fshatin Hodonoc (Manjec) të Komunës së Kamenicës.

Etja e tij për dije u vërejt që në fëmijëri, ai njihej si një nga nxënësit më të sjellshëm e shembullorë, i cili nuk hezitonte të ecje me orë të tëra në këmbë vetëm për të vijuar mësimin.

​Rrugëtimin e tij shkollor e filloi në Hodonoc, për ta vazhduar nga klasa e I deri në të IV-tën në Tërnoc të Vogël, ndërsa klasat nga e VI-ta deri në të VIII-të i përfundoi në Breznicë. Shkollimin e mesëm e ndau mes Kamenicës (dy vitet e para) dhe Gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan (dy vitet e fundit).

​Për shkak të dashurisë së madhe për natyrën dhe hapësirën, regjistroi Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore – Dega e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, ku diplomoi në vitin 1983.

Mësimshënës i dashur dhe drejtor i përkushtuar

​Karrierën e tij arsimore e nisi menjëhalfë pas diplomimit, në tetor të vitit 1983, si arsimtar me gjysmë norme në Gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoc, ku punoi për gjashtë muaj.

Në nëntor të vitit 1984, prof. Xhevati u emërua mësimdhënës i gjeografisë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, ku shërbeu për gati dy dekada me radhë, deri në tetor të vitit 2003.

​Si profesor, ai dallohej për gatishmëri, zell dhe metoda moderne të mësimdhënies për kohën.

Me spjegime të qarta, pedantëri dhe ritëm dinamik, ai e bënte orën e gjeografisë mjaft të kapshme dhe të interaktive, duke u bërë shpejt një nga profesoreshët më të dashur për nxënësit.

​Në periudhën 2001–2003, ai ushtroi detyrën e drejtorit të Gjimnazit “Zenel Hajdini”. Si udhëheqës, prof. Xhevati vendosi rend, disiplinë dhe respekt të ndërsjellë.

Dallohej për modesti dhe qasje praktike, nuk hezitonte të vishte edhe mantelin e punës për të ndihmuar personalisht në punët teknike e fizike të shkollës.

Kontributi në periudha të vështira historike

​Gjatë viteve të ’90-ta, në periudhën e masave të dhunshme dhe okupimit serb, Xhevat Aliu dha një kontribut të çmueshëm si anëtar i Komisionit Komunal të Arsimit për mbajtjen gjallë të arsimit shqip.

​Po ashtu, gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998–1999), ai shërbeu si nënkryetar i Komisionit Komunal për Ndihma Emergjente, duke u dalë në ndihmë familjeve dhe popullatës së zhvendosur.

Drejtimi i Qendrës Rajonale për Punësim dhe pensionimi

​Në tetor të vitit 2003, prof. Xhevat Aliu u emërua drejtor i Qendrës Rajonale për Punësim në Gjilan.

Këtë detyrë me përgjegjësi të lartë publike e ushtroi me profesionalizëm, korrektesi dhe transparencë për dy dekada me radhë, deri në prill të vitit 2023, kur edhe doli në pension të merituar.

Gjatë kësaj periudhe dydekadëshe, ai arriti të ndërtojë një mjedis pune të mirëfilltë, të strukturuar mbi bazën e bashkëpunimit, llogaridhënies dhe mirësjelljes institucionale.

Përkushtimi i tij ndaj qytetarëve që kërkonin mbështetje apo orientim në tregun e punës bëri që ai të vlerësohej lart jo vetëm nga stafi administrative, por nga të gjithë qytetarët e rajonit.

​Sot, ndonëse ka më shumë se dy vite që është pensionuar, profesor Xhevati vazhdon të gëzojë respektin më të thellë në mesin e qytetarëve të Gjilanit, Kamenicës dhe gjithë Anamoravës.

Me energjinë, thjeshtësinë dhe paanshmërinë që e karakterizoi përgjatë tërë jetës, ai ka lënë një emër të ndritur dhe një shembull frymëzues të intelektualit të përkushtuar, i cili arsimin, punën dhe shërbimin ndaj komunitetit i pati gjithmonë në plan të parë.

Shpërndaj me të tjerët