Ramadani: Ndeshje e vështirë dhe psikologjike, duhet karakter në fushë

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani: Ndeshje e vështirë ndaj Prishtinës së Re, kërkohet angazhim maksimal

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka folur para përballjes me Prishtinën e Re, duke e cilësuar këtë ndeshje si mjaft të vështirë dhe me shumë rëndësi për skuadrën e tij.

Ai theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për këtë takim, ndërsa stafi ka punuar maksimalisht për ta mbajtur ekipin në nivel të lartë pavarësisht mungesave.

“Jemi munduar të nxjerrim maksimumin nga futbollistët që janë në dispozicion, në mënyrë që të mos vërehen mungesat e lojtarëve të lënduar”, u shpreh Ramadani.

Trajneri bëri të ditur se situata po përmirësohet, pasi disa lojtarë janë rikthyer.

“Na gëzon fakti që Manaj është rikthyer, ndërsa edhe Rroni pritet të kthehet. Kjo na jep më shumë opsione dhe stabilitet në ekip”, shtoi ai.

Sipas Ramadanit, skuadra duhet të jetë e përgatitur për një ndeshje me shumë duele dhe luftë në fushë.

“Do të jetë një ndeshje me grindje dhe duele të forta, prandaj kërkohet angazhim maksimal dhe mentalitet i fortë nga secili lojtar”, theksoi ai.

Ai shtoi se për Dritën çdo ndeshje është finale dhe se ekipi duhet të tregojë karakter.

“Ne i marrim ndeshjet një nga një, shikojmë vetëm veten dhe askënd tjetër. Duhet ta shfaqim karakterin tonë në fushë”, deklaroi Ramadani.

Në fund, ai nënvizoi se kjo përballje ka rëndësi edhe në aspektin psikologjik, duke kërkuar fokus dhe përkushtim maksimal për të arritur rezultatin e dëshiruar.

Shpërndaj me të tjerët