Para përballjes ndaj Prishtinës së Re, Blerim Krasniqi ka theksuar se skuadra e tij hyn në këtë ndeshje me synimin e qartë për të marrë tri pikët.
Ai u shpreh se ekipi është përgatitur mirë dhe është i fokusuar maksimalisht për ta vazhduar serinë pozitive.
“Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe shpresojmë të marrim maksimumin e pikëve. Objektivi ynë është titulli dhe çdo ndeshje deri në fund ka peshë të madhe”, ka deklaruar Krasniqi.
Sulmuesi shtoi se shpreson të jetë sërish vendimtar edhe në këtë takim, duke kontribuar me gola, por theksoi se mbi të gjitha qëndron suksesi i ekipit.
“Shpresoj të shënoj edhe në ndeshjet tjera, por për ne më e rëndësishme është fitorja dhe performanca si ekip”, u shpreh ai.
Drita pritet të hyjë në këtë duel me besim të lartë, ndërsa përkrahja e tifozëve mund të jetë një shtysë shtesë për të arritur objektivin.
