REPORTAZH/ Familja sa një ekip futbolli, historia e rrallë e Agush Nuhiut nga Velekinca me 11 fëmijë

Në një kohë kur familjet e mëdha janë bërë gjithnjë e më të rralla dhe lindshmëria në Kosovë po shënon rënie, në Velekincë të Gjilanit jeton Agush Nuhiu, babai i 11 fëmijëve,  shtatë djemve dhe katër vajzave.

Familja e tij është ndër më të mëdhatë në Anamoravë dhe një shembull se dashuria, puna dhe sakrifica mund të ndërtojnë një shtëpi të mbushur me jetë, buzëqeshje dhe krenari.

Nuk jam penduar asnjëherë

Për Agushin, të kesh 11 fëmijë nuk ka qenë kurrë barrë. Përkundrazi, ai thotë se ata janë bekimi dhe pasuria më e madhe e jetës së tij.

“Ka dashtë Zoti, edhe ne nuk kemi menduar skamjen dhe kanë lindur 11 fëmijë”, thotë ai me buzëqeshje.

Nga 11 fëmijët, shtatë janë djem dhe katër vajza. Pothuajse të gjithë kanë përfunduar studime universitare, përveç njërit, i cili ka zgjedhur profesionin e berberit.

Katër djem dhe dy vajza tashmë janë të martuar, një vajzë është e fejuar, ndërsa katër fëmijë ende nuk kanë krijuar familjet e tyre.

Edhe këta katër janë rrugës së suksesit. Njëra nga vajzat është studente e vitit të pestë në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa vajza tjetër është pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e njohur edhe për sukseset e saj të mëhershme si kampione në karate. Për Agushin, arritjet e secilit prej fëmijëve janë krenaria më e madhe.

Malli për fëmijët është dhimbja më e madhe

Sot në shtëpinë e Agushit jetojnë vetëm katër  fëmijë. Të tjerët kanë emigruar në kërkim të një jete më të mirë.

“Nuk e kam menduar kurrë se do të largoheshin. Kemi tokë, kemi punuar gjithmonë dhe kam besuar se pasi t’i kryenin fakultetet, do ta ndërtonin jetën këtu”, thotë ai.

Është një dhimbje që e ndajnë shumë prindër në Kosovë, por kur ke rritur 11 fëmijë, boshllëku në shtëpi ndihet edhe më shumë.

Një ditë që nis para lindjes së diellit

Agushi është pranë moshës 65-vjeçare, por vazhdon të punojë me të njëjtin ritëm. Në orën pesë të mëngjesit kujdeset për rreth 100 dele dhe pesë dhi, punon tokën, ndërsa në orën 7:30 është në vendin e tij të punës si zyrtar i furnizimit në Drejtorinë e Financave të Komunës së Gjilanit. Edhe pas orarit të punës nuk pushon. Rikthehet në fermë dhe vazhdon punët bujqësore, duke dëshmuar se puna ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e jetës së tij.

Respekti nuk fitohet me fjalë, por me punë

Në Velekincë dhe në Gjilan, Agushi njihet si njeri i ndershëm, punëtor dhe me humor. Ai thotë se asnjëherë nuk është ndier i nënvlerësuar pse ka pasur 11 fëmijë.

“Përkundrazi, njerëzit më kanë respektuar edhe më shumë.”

Edhe ata që e njohin e përshkruajnë si një njeri shembullor, që ka ditur të ndërtojë familje, të edukojë fëmijët dhe të punojë pa u ndalur.

Kur bëhen bashkë, shtëpia merr jetë

Edhe pse sot shumica e fëmijëve jetojnë në mërgim, ditët kur të gjithë mblidhen në Velekincë janë më të veçantat për Agushin dhe bashkëshorten e tij.

Shtëpia mbushet me zërat e fëmijëve, nipërve e mbesave, me biseda, të qeshura dhe kujtime. Është një atmosferë që nuk përshkruhet lehtë me fjalë.

“Kur bëhemi të gjithë bashkë, është ndjenja më e bukur. Shtëpia gjallërohet dhe duket sikur i rikthehen vitet kur të gjithë ishin pranë nesh”, thotë ai.

Një histori që përcjell një mesazh

Historia e Agush Nuhiut nuk është vetëm historia e një babai me 11 fëmijë. Është historia e një familjeje që dëshmon se dashuria, sakrifica, puna dhe edukimi janë themelet mbi të cilat ndërtohet një jetë e lumtur.

Në një kohë kur lindshmëria në Kosovë po bie dhe shumë çifte hezitojnë të krijojnë familje, rrëfimi i Agushit kujton rëndësinë e familjes si vlera më e madhe e shoqërisë.

Jo për të thënë se të gjithë duhet të kenë familje kaq të mëdha, por për të kujtuar se çdo fëmijë është një bekim, një shpresë për të ardhmen dhe vazhdimësi e jetës. Agushi nuk flet shumë për veten.

Janë familja që ka ndërtuar, fëmijët që ka rritur me dashuri dhe respekti që gëzon në komunitet ata që flasin më së miri për të.

Historia e tij mbetet një dëshmi se pasuria më e madhe nuk matet me atë që zotëron, por me familjen që krijon dhe vlerat që u lë brezave që vijnë.

Shënim:

Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.

Mund të shpërndahet vetëm si link.

Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!

Botuesi dhe redaktori:

/F.S./

 

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët