Rritja e temperaturave të larta deri më tani nuk ka ndikuar në shtimin e numrit të kontrolleve mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan.
Megjithatë, drejtori i këtij institucioni, Dr. Basri Kamberi, thotë se tashmë kanë filluar të evidentohen raste të gastroenteriteve.
Sipas tij, pacientët po paraqiten kryesisht me simptoma si të vjella dhe barkqitje.
“Rritja e temperaturave deri më tani nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të kontrolleve të pacientëve në QKMF. Meqë, kemi filluar të evidentojmë raste të gastroenteriteve, të cilat manifestohen kryesisht me të vjella dhe barkqitje”, ka deklaruar Dr. Kamberi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që, gjatë ditëve me temperatura të larta, të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht personat me sëmundje kronike, të moshuarit, foshnjat, fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Dr. Kamberi rekomandon që vizitat te mjeku të realizohen në orët e hershme të mëngjesit ose pas perëndimit të diellit.
Po ashtu, ai këshillon konsumimin e mjaftueshëm të ujit, veshjen e rrobave të lehta dhe me ngjyra të çelëta, mbajtjen e kapelës gjatë qëndrimit jashtë dhe shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell, sidomos gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Apeli vjen në një kohë kur temperaturat në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa autoritetet shëndetësore vazhdojnë të bëjnë thirrje për kujdes të shtuar ndaj vapës.
