Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes njësive të saj policore sektoriale dhe në bashkëpunim të ngushtë me Komitetet Lokale për Siguri Publike, njësitë komunale të zjarrfikësve si dhe partnerët lokalë, ka nisur zbatimin e një fushate të gjerë sensibilizuese në kuadër të projektit “Bashkësi e Sigurt pa Zjarre”.
Ky projekt ka filluar të realizohet paralelisht nga të gjitha stacionet policore vartëse të DRP Gjilan, duke mbuluar kështu të gjithë zonën e përgjegjësisë së rajonit të Gjilanit.
Aktivitetet në terren janë përqendruar kryesisht nëpër zonat rurale, të cilat për shkak të temperaturave të larta të sezonit veror, konsiderohen si lokacionet me rrezikun më të lartë për shpërthimin e zjarreve.
Gjatë kësaj fushate operative, zyrtarët policorë sektorialë dhe zyrtarët komunalë po zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me qytetarë, fermerë dhe banorë të këtyre zonave të ekspozuara.
Synimi kryesor është ngritja e vetëdijes qytetare për parandalimin në kohë të katastrofave mjedisore.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve po bëhet edhe shpërndarja e posterave vetëdijesues. Këto materiale përmbajnë thirrje të qarta për mbrojtjen e mjedisit, shpjegojnë pasojat e rënda që sjellin zjarret, si dhe njoftojnë mbi sanksionet e rrepta ligjore që pasojnë ndaj personave të papërgjegjshëm që ndezin zjarre në ambiente të hapura.
Policia e Kosovës ka dërguar një paralajmërim të prerë për të gjithë: nuk do të tolerohet asnjë veprim që bie ndesh me ligjin.
Ndezja e zjarreve të hapura rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, shkakton dëme të mëdha materiale dhe cenon rëndë mjedisin, prandaj ndaj çdo shkelësi do të ndërmerren pa vonesë masat më të rrepta të parapara me legjislacionin në fuqi.
Këto aktivitete parandaluese do të vazhdojnë përgjatë gjithë sezonit veror me synim mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë publike në rajon.
