1659 gjoba për një javë në Gjilan, Policia me apel urgjent për drejtuesit e trotineteve
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar gjithsej 1.659 gjoba trafiku gjatë periudhës 19-25 qershor 2026, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 13 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, janë shqiptuar 48 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 30 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë ngasjes dhe tetë gjoba për automjete të modifikuara me folje të errëta.
Ndërkohë, ndaj 24 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Policia Rajonale në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, e në veçanti drejtuesve të trotineteve elektrikë dhe të rinjve, që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes.
Sipas Policisë, mosrespektimi i normave të parapara me ligj gjatë drejtimit të trotineteve mund të ketë pasoja fatale, ndaj apelohet për përgjegjësi dhe kujdes të shtuar në komunikacion me qëllim të ruajtjes së jetës dhe rritjes së sigurisë rrugore.

