SIGURI/Vlerësohet e qetë dhe stabile gjendja e sigurisë në Komunën e Gjilanit

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në mbledhjen e tij të dytë për këtë vit, të udhëhequr nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani, ka vlerësuar se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Komunën e Gjilanit është e qetë dhe stabile.

​Rreshteri nga Policia e Kosovës, Naser Rrahmani, bëri të ditur se kjo situatë stabile është rezultat i bashkëpunimit të mirë me qytetarët dhe i kulturës së tyre të lartë qytetare, si dhe i punës me förkushtim të policisë. Ai shtoi se takimet dhe vizitat e rregullta në terren me të gjitha komunitetet po vazhdojnë me intensitet.

​Nga ana tjetër, drejtori Enver Shabani veçoi se gjatë këtij viti është shënuar një rënie e theksuar e zjarreve fushore dhe malore krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas tij, kjo arritje i dedikohet angazhimit të përbashkët dhe fushatave të shumta sensibilizuese të realizuara në terren.

​KKSB në Gjilan, i themeluar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, është një mekanizëm multi-sektorial që ka për qëllim vlerësimin e situatës së sigurisë, parandalimin e dukurive negative, koordinimin e emergjencave si dhe nxitjen e bashkëpunimit ndëretnik e ndërfetar.

​Ky këshill ka një mandat katërvjeçar dhe përbëhet nga 24 anëtarë, ku përfshihen përfaqësues të Komunës së Gjilanit, Stacionit Policor, Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Kishës Protestante, përfaqësues të komuniteteve serb, turk e rom, si dhe anëtarë nga OJQ-të dhe mediat. / dita24h /

Shpërndaj me të tjerët