Nënshkruhet kontrata për ofrimin e shërbimeve sociale dhe rehabilituese për personat e verbër në Gjilan
Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve ka njoftuar se kryetari i saj, Bajram Spahiu, ka nënshkruar kontratën me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DShMS) të Komunës së Gjilanit për ofrimin e shërbimeve sociale, specifike dhe rehabilituese për personat e verbër.
Sipas njoftimit, kjo kontratë synon të përmirësojë cilësinë e jetës së personave të verbër përmes ofrimit të mbështetjes profesionale, rehabilitimit, këshillimit dhe shërbimeve të tjera që nxisin pavarësinë, përfshirjen sociale dhe dinjitetin e tyre.
Nga Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve është shprehur mirënjohje ndaj Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe institucioneve për bashkëpunimin dhe besimin e treguar.
Po ashtu, Shoqata ka ritheksuar përkushtimin për të ofruar shërbime cilësore dhe për të mbrojtur të drejtat e personave të verbër, me synimin për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe me mundësi të barabarta për të gjithë.
