SPORT/Fitore me përmbysje, Drita mposht Ferizajin pas 5 seteve dramatike

Gjilan, 4 tetor 2026  – Vetëm një ditë pasi ngriti trofeun e Superkupës së Kosovës, skuadra e Dritës e ka nisur kampionatin e ri në Superligën A (femrat) me një fitore të madhe, duke triumfuar ndaj Ferizajt me rezultatin 3-2 në sete (26:24, 20:25, 21:25, 25:18, 15:11).

​Takimi i xhiros së parë dhuroi dramë dhe rivalitet të lartë. Drita e nisi më mirë përballjen duke e fituar setin e parë me shifrat e ngushta 26:24.

Megjithatë, volejbollistet e Ferizajt reaguan fuqishëm në dy setet vijuese (20:25, 21:25), duke e përmbysur rezultatin në 1-2.

​Kampionet në fuqi të Superkupës nuk u dorëzuan dhe u rikthyen bindshëm në setin e katërt (25:18), për ta dërguar derbin në setin vendimtar.

​Në setin e pestë dhe përcaktues, gjilanaset treguan më shumë qetësi e efikasitet në momentet kryesore, duke e mbyllur atë 15:11 dhe duke siguruar pikët e para të sezonit pas një përballjeje spektakolare.

Shpërndaj me të tjerët