SPORT / Gjilani mposhtet në Skënderaj, Drenica arkëton pikë të rëndësishme

Skuadra e Gjilanit ka pësuar një tjetër goditje në udhëtim, duke dështuar të marrë pikë në përballjen kundër Drenicës.

Ndeshja e zhvilluar në Skënderaj përfundoi me rezultatin 2:1 në favor të vendasve, të cilët u treguan më efikas gjatë pjesës së parë të takimit.

Drenica arriti të zhbllokonte rezultatin pas gjysmë ore lojë. Në minutën e 30-të, Kreshnik Uka u gjend mirë brenda zonës dhe nga afërsia dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar kuqezinjtë në epërsi prej 1:0.

Gjilanasit nuk arritën të këndelleshin shpejt dhe vetëm gjashtë minuta më vonë pësuan edhe golin e dytë.

Në minutën e 36-të, E. Kodra realizoi për 2:0, duke i dhënë një goditje të rëndë shpresave të mysafirëve për një rezultat pozitiv.

Në pjesën e dytë, Gjilani u përpoq të kthehej në lojë, por mbrojtja e organizuar e Drenicës rezistoi deri në fund.

Goli i vetëm për ekipin gjilanas erdhi vetëm në minutat shtesë të ndeshjes, kur mesfushori Morina arriti të ngushtonte epërsinë në 2:1.

Megjithatë, ky gol shërbeu vetëm për statistika, pasi rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit, duke lënë Gjilanin pa pikë në këtë xhiro.

 

Shpërndaj me të tjerët