Talentja e jashtëzakonshme e Klubit të Pingpongut (KPP) Gjilani, Zana Bllaca, ka arritur suksesin më të lartë në karrierën e saj të deritashme, duke shkruar historinë në sportin kosovar.
Ajo është shpallur kampione e turneut prestigjioz ndërkombëtar “WTT Youth Contender Prishtina 2026”, i cili përfundoi ditën e djeshme në kryeqytet.
Ky sukses konsiderohet historik dhe i paprecedent, pasi asnjëherë më parë asnjë pingpongist i kësaj grupmoshe nga Kosova nuk ka arritur të rrëmbejë vendin e parë në një turne të këtij niveli kaq të lartë botëror.
Në këtë garë të madhe ndërkombëtare, ku morën pjesë grupmoshat nga 11 vjeç e deri te seniorët, 10-vjeçarja nga Gjilani dominoi plotësisht në kategorinë U11.
Zana zhvilloi tri ndeshje tejet të forta në grup dhe arriti t’i fitonte të tria, duke treguar një superioritet të jashtëzakonshëm pasi nuk e humbi asnjë set të vetëm.
Ky triumf merr vlerë edhe më të madhe duke pasur parasysh konkurrencën e ashpër, ku pjesëmarrëse ishin edhe pingpongiste nga Rumania dhe Bullgaria, vende këto që llogariteshin si favoritet kryesore për titull.
Ky sukses i madh ka sjellë gëzim të jashtëzakonshëm në taborrin e klubit gjilanas.
Trajneri i saj, Naser Hasani, përmes një mesazhi emocionues ka shprehur krenarinë për nxënësen e tij: “Krenari e madhe me pa punën, talentin dhe përkushtimin e Zanës të shpërblehen me këtë sukses të jashtëzakonshëm. Urime kampione për vendin e parë në WTT Youth Contender Prishtina 2026”.
Ky trofe dëshmon rritjen profesionale të KPP Gjilanit dhe paralajmëron një të ardhme të ndritur për yllin e ri të pingpongut kosovar.

