Këshilli organizativ i Turneut Memorial në futboll “Ibrahim Uruçi – Hushi” ka marrë një zotim të rëndësishëm nga kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Armend Misini.
Përveç mbështetjes së dhënë për edicionin e sivjetmë, Misini ka premtuar se gjatë vitit të ardhshëm fusha e shkollës në Bresalc do të shtrohet me bari sintetik. Sipas planit, me ndërrimin e barit sintetik në stadiumin ndihmës të qytetit të Gjilanit, një pjesë e tij do të zhvendoset për t’u vendosur në fushën e shkollës në Bresalc.
Organizatorët e kanë cilësuar këtë si një prej lajmeve më të rëndësishme për komunitetin lokal, të rinjtë dhe sportistët e fshatit, duke theksuar se ky investim do t’u shërbejë brezave të tërë.
Me përmbylljen e edicionit aktual, Këshilli Organizativ ka bërë të ditur se punët për organizimin e radhës tashmë kanë filluar, me synimin e qartë që në vitin 2027 turneu “Ibrahim Uruçi – Hushi” të zhvillohet në fushën e re me bari sintetik.
