Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka ndërmarrë një sërë masash operative dhe preventive me qëllim garantimin e një ambienti të sigurt për nxënësit dhe stafin arsimor, me fokus të veçantë sigurinë në trafikun rrugor.
Sot, më 1 shtator, Njësia Sektoriale dhe ajo për Komunitet nga Stacioni Policor në Gjilan, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, kanë zhvilluar një varg aktivitetesh sensibilizuese në afërsi të shkollave, veçanërisht atyre që ndodhen pranë akseve kryesore rrugore.
Gjatë këtij aksioni, zyrtarët policorë dhe partnerët komunalë kanë shpërndarë fletushka me udhëzime e këshilla praktike për fëmijët, si dhe kanë realizuar aktivitete interaktive në terren bashkë me nxënësit.
Synimi kryesor i kësaj fushate është ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe prindërve për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe rritjen e kujdesit gjatë lëvizjes në zonat shkollore.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti drejtuesve të automjeteve,që të tregojnë kujdes të shtuar, t’i përmbahen kufizimeve të shpejtësisë dhe të respektojnë rregullat e sinjalizimit rrugor për shkak të pranisë së madhe të fëmijëve në rrugë.
