Sport Club Gjilani ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes me trajnerin e njohur Zekirija Ramadani, i cili do të marrë timonin e shtabit teknik të skuadrës kuqe e bardhë me një projekt afatgjatë deri në vitin 2028.
Rikthimi i Ramadanit në krye të Gjilanit shënon vazhdimin e një bashkëpunimi të suksesshëm.
Në edicionin 2022/23, nën drejtimin e teknikut nga Shkupi, skuadra gjilanase arriti të sigurojë daljen në garat evropiane, si dhe preku finalen e madhe të Kupës së Kosovës.
Ramadani shquhet si një nga strategët më të trofeshëm në futbollin kosovar, duke numëruar pesë tituj kampionë të fituar me katër klube të ndryshme.
Ai vjen te Gjilani me objektiva të qarta dhe ambicie të larta për ta dërguar klubin drejt majave të tabelës.
Nga klubi gjilanas i kanë uruar mirëseardhje të ngrohtë trajnerit të ri, duke shprehur besimin e plotë se ky bashkëpunim do të sjellë rezultatet e dëshiruara dhe realizimin e synimeve strategjike të skuadrës. / dita24h /
