Sot shënon një ditë të veçantë për Sali Fazliun nga Gjilani, i cili përmbyll zyrtarisht karrierën e tij profesionale duke kaluar në pension.
I njohur mes bashkëqytetarëve e kolegeve si një qytetar elitar me kulturë të gjerë, i qetë, i matur, i urtë, i dashur dhe mjaft profesional, ai lë pas vetes një shembull të lartë integriteti e përkushtimi ndaj komunitetit.
I lindur më 17 tetor 1961 në Gjilan, Sali Fazliu përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin në vendlindje, për të vazhduar më pas studimet universitare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë viteve të rinisë, si gjimnazist dhe student, ai ishte i lidhur ngushtë me sportin, duke luajtur futboll aktivisht me ekipet e juniorëve dhe më vonë edhe për ekipin e parë të KF C. Zvezda.
Rrethanat politike të viteve të ’90-ta dhe mosrespektimi i diktatit të kohës ia pamundësuan punësimin e menjëhershëm në profesionin e tij juridik.
Ndërmjet viteve 1992 dhe 1999, ai punoi në Shoqatën e Punëtorëve Kontabilistë dhe Financiarë të Kosovës (dega në Gjilan).
Po ashtu, passionin e tij të fëmijërisë, fotografinë, me të cilën që në shkollë fillore kishte fituar medalje të bronztë në garat e atëhershme federative, e shndërroi në profesion të përkohshëm.
Në vitin 1997 hapi dyqanin e tij të fotografisë, i cili shërbeu si burim jetese për familjen dhe arsimimin e fëmijëve gjatë viteve të mbijetesës.
Pas vitit 1999, me vendosjen e organizatave ndërkombëtare në Kosovë, Fazliu u angazhua si përkthyes simultan në trajnime të ndryshme profesionale.
Më tej, ai dha kontribut edhe në jetën publike e politike lokale, si një nga bashkëthemeluesit e degës së AKR-së në Gjilan dhe anëtar i kryesisë së saj.
Para integrimit në administratën komunale, ai shërbeu si anëtar i Komisionit Komunal për Ndryshimin e Statutit të Komunës, akt ky normativ që vlen edhe sot.
Karriera e tij e gjatë në administratën komunale nisi në prill të vitit 2009 në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë (DGJKP).
Në këtë drejtori, Fazliu ushtroi me përgjegjësi detyra të rëndësishme: nga zyrtar juridik dhe shef i Sektorit të Pronës, deri te përfaqësimi i Komunës së Gjilanit në të gjitha instancat gjyqësore gjatë vitit 2017.
Gjatë periudhës 2019–2021 ai udhëhoqi këtë dikaster si Drejtor i DGJKP-së, ndërsa nga viti 2022 e deri në ditën e pensionimit shërbeu si Udhëheqës i Njësisë për Çështje Pronësoro-Juridike.
Me kalimin në pension, Sali Fazliu përmbyll me respekt e dinjitet një kapitull të gjatë pune e përkushtimi ndaj qytetit të Gjilanit, duke lënë pas vetes një trashëgimi të çmuar profesionale dhe njerëzore.
