TRADITË / Takimet e Vendlindjes bashkuan banorë e mërgimtarë në Sefer

Në Sefer u mbajtën Takimet Tradicionale të Vendlindjes, propozohet rifreskimi i këshillit organizativ

Në fshatin Sefer u mbajtën sot Takimet Tradicionale të Vendlindjes, ku u mblodhën banorë dhe bashkatdhetarë për të diskutuar mbi aktivitetet e këshillit organizativ dhe çështjet që lidhen me zhvillimin e fshatit.

Takimin e hapi Xhelil Rrahmani, ndërsa koordinatori i këshillit organizativ, Rexhep Seferi, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti. Raportin e punës për periudhën njëvjeçare e prezantoi Sali Nuhiu.

Në tubim mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili premtoi se gjatë vitit të ardhshëm do të punohet për rregullimin e rrugës që çon drejt fshatit, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për vizitorët.

Ai vlerësoi gjithashtu vazhdimësinë e këtij organizimi tradicional, duke theksuar se Seferi është ndër fshatrat e paktë që e ruan këtë traditë prej shumë vitesh.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit dhanë propozime, vërejtje dhe mbështetje për punën e këshillit organizativ.

U propozuan edhe anëtarë të rinj nga secila lagje për rifreskimin e kryesisë, e cila pritet të konstituohet në një takim të veçantë.

Po ashtu, u hodh si propozim që në vitet e ardhshme takimi të mbahet të dielën e fundit të muajit korrik, për t’u mundësuar pjesëmarrje më të madhe bashkatdhetarëve.

Takimi u përmbyll në atmosferë festive me valle popullore, surle e tupan, si dhe aktivitete sportive. Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe mbështetjen e tyre.

Shpërndaj me të tjerët