PJESA I
Themelimi i Gjilanit dhe ardhja e zejtarëve
Veprimtaria zejtare dhe tregtare ka qenë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Gjilanit që nga themelimi i qytetit.
Pas rënies së Novobërdës dhe themelimit të Gjilanit nga familja Gjinolli në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, në qytet u vendosën zejtarë dhe tregtarë nga Novobërda, Vranja, Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe qendra të tjera.
Lehtësitë që u ofruan nga pushteti i kohës krijuan bazën për zhvillimin e çarshisë së re.
Çarshia, zemra ekonomike e Anamoravës
Pozita gjeografike, toka pjellore, lidhjet tregtare dhe zhvillimi i bujqësisë e bënë Gjilanin qendrën kryesore ekonomike të Anamoravës.
Fillimisht u zhvilluan zejtaritë që përpunonin prodhimet bujqësore e blegtorale, ndërsa më vonë u zgjeruan dhjetëra profesione të tjera, duke e shndërruar çarshinë në zemrën ekonomike të qytetit.
Rritja e shpejtë e qytetit
Sipas Salnamesë Osmane të vitit 1873/74, Gjilani kishte 527 shtëpi, rreth 3.000 banorë dhe 160 dyqane. Vetëm një dekadë më vonë, qyteti numëronte 1.000 shtëpi, pesë lagje, 20 hane, 242 dyqane dhe rreth 5.000 banorë.
Kjo rritje dëshmon zhvillimin e hovshëm ekonomik që përjetoi Gjilani gjatë kësaj periudhe.
Muhaxhirët dhe zgjerimi i zejtarisë Ardhja e muhaxhirëve shqiptarë pas viteve 1877–1878 ndikoi dukshëm në zhvillimin e zejtarisë.
Ata sollën profesione të reja si saraçët, orëndreqësit dhe armëpunuesit, duke pasuruar jetën ekonomike të qytetit.
Deri në fund të sundimit osman, Gjilani ishte bërë një nga qendrat më të rëndësishme zejtaro-tregtare të Vilajetit të Kosovës, me rreth 10 mijë banorë dhe një çarshi që përbënte bazën e mirëqenies së qytetit.
Shënim për lexuesit: Këto janë marrë në librin “Zejtaria e Gjilanit” e cila gjendet në shitje tek libraria “Alfabeti” afër shkollës “Thimi Mitko” dhe librarinë “Abetarja” përballë shkollës “Selami Hallaqi”. Në Prishtinë tek libraria “Artini-Toena” tek Instituti Albanologjik. /Pjesa 2 vazhdon nesër/

