VEPRIM / Aksion vullnetar në Velekincë, ngjyrosen shtyllat përgjatë trotuarit

Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, së bashku me disa banorë të Velekincës, ka zhvilluar një aksion vullnetar për ngjyrosjen e shtyllave përgjatë trotuarit, me synimin për ta bërë këtë hapësirë më të rregullt, më të dukshme dhe më të sigurt për këmbësorët.

Sipas Ademit, kjo nismë nuk kishte të bënte vetëm me përmirësimin e pamjes së ambientit, por edhe me rritjen e sigurisë në komunikacion. Ngjyrosja e shtyllave ndihmon që ato të dallohen më lehtë gjatë natës, duke lehtësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe duke ulur rrezikun e aksidenteve.

Ai ka falënderuar të gjithë banorët që iu bashkuan aksionit me punë dhe përkushtim, si dhe ka shprehur mirënjohje të veçantë për kompaninë Biti Bau, e cila siguroi materialet dhe pajisjet e nevojshme për realizimin e kësaj nisme.

“Ndonjëherë mjafton pak vullnet për të bërë një ndryshim që shihet nga të gjithë. Kur bashkohemi për të mirën e përbashkët, çdo punë bëhet më e lehtë dhe çdo ndryshim ka më shumë vlerë”, është shprehur Ademi.

 

Shpërndaj me të tjerët