Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Gjilanit, e udhëhequr nga drejtori Avdyl Kastrati, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që ta kryejnë pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë deri më 30 shtator 2026, për të shmangur gjobat dhe interesin vonesor.
Sipas nenit 23 të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, tatimi vjetor paguhet në dy këste të barabarta: i primi deri më 30 prill dhe i dyti deri më 30 shtator.
Drejtoria sqaron se mospagesa me kohë sjell masa ndëshkuese ligjore, ku sipas Nenit 35 aplikohet gjobë prej 10% mbi shumën e papaguar, ndërsa Neni 25 parasheh llogaritjen e interesit në baza mujore (rreth 0.65% në muaj).
Nëse një këst prej 100 eurosh mbetet i papaguar për një vit, gjoba prej 10% (10€) dhe interesi vonesor prej 7.8% (7.80€) e rrisin detyrimin total në 117.80 euro.
Në rast të mospagesës së të dyja kësteve, gjoba dhe interesi llogariten veçmas për secilin këst nga afati i tij përkatës. Po ashtu, kërkohet që edhe borxhet e akumuluara nga vitet e mëparshme të shlyhen sa më parë.
Me këtë rast, drejtori Avdyl Kastrati ka theksuar se të hyrat nga tatimi në pronë i shërbejnë drejtpërdrejt Komunës së Gjilanit për investime kapitale dhe përmirësimin e shërbimeve publike, si rregullimi i rrugëve, ndriçimi publik, infrastruktura shkollore dhe mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta.
Për të shmangur radhët në sportele, faturat mund të kontrollohen dhe shpërndahen online përmes platformës eKosova ose portalit zyrtar të Tatimit në Pronë, mundësi kjo që u shërben edhe bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit. Faturat mund të merren e të paguhen edhe drejtpërdrejt në sportelet e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Gjilan./ dita24h /
