Skena artistike e Kosovës vazhdon të shënojë suksese në arenën ndërkombëtare.
Artisti i mirënjohur nga Gjilani, Avni Behluli, ka marrë pjesë me dy punime në edicionin e 14-të të “Kolonisë Ndërkombëtare të Artit”, i cili u mbajt në ambientet e njohura muzeale të Svrzina Kuća në Sarajevë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, Behluli ka promovuar vlerat e artit kosovar përkrah krijuesve nga vende dhe kultura të ndryshme, duke shërbyer si një urë lidhëse bashkëpunimi mes artistëve.
Suksesi në mediat shtetërore dhe pasurimi i fondit të muzeut
Përveç vlerësimit nga publiku dhe kolegët, pjesëmarrja e artistit gjilanas ka marrë vëmendje të veçantë edhe nga televizioni shtetëror i Bosnjë e Hercegovinës, i cili i ka kushtuar hapësirë të veçantë mediatike punës së tij.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi të suksesshëm, dy veprat e ekspozuara nga Avni Behluli tashmë do të jenë pjesë e përhershme e fondit të Muzeut, përkatësisht “Galerisë Preporod” në Sarajevë.
”Ishte nder për mua për mikpritjen që më bënë dhe hapësirën mediatike nga televizioni shtetëror. Po ashtu, ishte kënaqësi e veçantë që u njoha me shumë artistë dhe kultura të ndryshme, ku promovuan art, kulturë dhe ura bashkëpunimi,” është shprehur Behluli lidhur me këtë eksperiencë.
Kjo pjesëmarrje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e artistit dhe në promovimin e artit pamor të Kosovës në rajon.
