LOKALE / Atë që nuk e bëri Komuna, e bën kompania private në lagjen “Iliria”

Në lagjen “Iliria”, banorët dhe drejtuesit e automjeteve janë përballur me vështirësi të shumta si pasojë e gropave të hapura në rrugë, të cilat rrezikonin qarkullimin e përditshëm.

Megjithatë, në mungesë të ndërhyrjes nga organet përgjegjëse komunale, ka qenë një firmë private ajo që ka marrë iniciativën.

Me vetëiniciativë, kjo kompani ka mbushur gropat me beton, duke bërë sanimin e tyre të përkohshëm dhe duke lehtësuar lëvizjen për automjetet dhe kalimtarët e zonës.

Përderisa ky veprim i firmës private meriton komplimente të larta për përgjegjësinë qytetare, situata mbetet një vërejtje e hapur për organet komunale.

Ky rast tregon se ka nevojë për më shumë aktivizim dhe veprim të shpejtë nga ana e autoriteteve, pasi çdo gropë e tillë në rrugë nuk është vetëm pengesë, por një rrezik real për sigurinë e qytetarëve.

Mbetet të shihet nëse ky reagim privat do të nxisë komunën që të bëjë riparimin e plotë dhe sipas standardeve të rrugëve në këtë lagje.

 

Shpërndaj me të tjerët