Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Kushtrim Zeqiri, dhe zyrtari i Galerisë së Arteve, Din Azizi, po marrin pjesë në njërën prej skenave më të rëndësishme botërore të artit, në Bienalen e Venecias.
Ky delegacion është i pranishëm për të mbështetur artistin nga Gjilani, Brilant Milazimi, i cili përfaqëson Kosovën në këtë ngjarje prestigjioze.
Kryetari Hyseni u shpreh i emocionuar që premtimi dhe mbështetja e dhënë pak javë më parë në zyrën e tij, tashmë është shndërruar në një realitet ndërkombëtar.
“Jam jashtëzakonisht krenar që Komuna e Gjilanit e ka mbështetur Brilantin në këtë rrugëtim dinjitoz. Sot, kur Pavijoni i Kosovës hap dyert në Bienalen e Venecias, Gjilani nuk është thjesht spektator, por partner i këtij suksesi”, deklaroi Hyseni.
I pari i Gjilanit e cilësoi këtë si një moment historik për artin gjilanas dhe atë kosovar, duke i uruar suksese Milazimit dhe gjithë ekipit realizues.
Sipas tij, ky prezantim vërteton potencialin e madh të rinisë gjilanase në rrafshin global.

