SPORT / Drita kërkon sot titullin kampion

Ramadani kërkon fitoren për të mbyllur garën ndaj Ballkanit

Stadiumi i qytetit në Gjilan do të jetë sot arena e ndeshjes vendimtare të këtij edicioni, ku kampionia aktuale, Drita, pret rivalin e drejtpërdrejtë për titull, Ballkanin.

Me një fitore eventuale, Drita do të shpallej edhe matematikisht kampion i Kosovës për të dytin vit radhazi, duke e mbrojtur me sukses trofeun.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e ka cilësuar këtë përballje si tejet të vështirë, por ka kërkuar nga futbollistët e tij që të shfaqin mentalitet dhe karakter të fortë.

Ai theksoi se ekipi duhet të japë maksimumin për të sjellë gëzim te familjarët e tyre, të cilët i kanë mbështetur gjatë një viti plot presion.

Ramadani ishte i qartë në synimet e tij: në këtë ndeshje nuk kërkohet loja e bukur, por vetëm trepikëshi që siguron titullin.

Aktualisht, Drita udhëheq tabelën me 8 pikë avantazh ndaj Ballkanit.

Një fitore sot do ta ngrinte këtë diferencë në 11 pikë, kur kanë mbetur edhe vetëm tre xhiro deri në fund të kampionatit, duke e bërë të pamundur përmbysjen e rezultatit.

Drejtuesit e klubit kanë njoftuar se janë marrë të gjitha masat organizative, ndërsa tifo-grupi “Intelektualët” ka paralajmëruar një prani masive në shkallët e stadiumit për të shtyrë ekipin drejt festës së madhe.

 

Shpërndaj me të tjerët