TEKNOLOGJI / Studentët e UKZ-së prezantojnë gjashtë punime shkencore në Tiranë

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar një sukses të rëndësishëm në fushën e kërkimit shkencor, duke marrë pjesë aktive në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë në Tiranë.

Prof. Dr. Ragmi Mustafa ka bërë të ditur se gjashtë grupe studentësh nga ky fakultet kanë prezantuar punime shkencore që mbulojnë fusha inovative të Inxhinierisë Softuerike, si ndërtimi i ueb-aplikacioneve dhe zhvillimi i sistemeve digjitale të bazuara në sensorë me mbështetjen e mikrokontrollorëve Arduino Uno.

Këto punime, të cilat u vlerësuan lart për nga cilësia dhe përmbajtja, u realizuan nën mentorimin e profesorëve Ragmi Mustafa, Basri Ahmedi, Ekrem Alimi dhe Afërdita Ibrahimi.

Në këtë ngjarje shkencore morën pjesë studentë nga universitetet e Tiranës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Tetovës e Shkupit, si dhe pjesëmarrës nga Evropa dhe SHBA-të përmes platformave online.

Studentët gjilanas jo vetëm që ishin pjesë e këtij mjedisi akademik ndërkombëtar, por shkëlqyen me prezantimet e tyre, duke dëshmuar përgatitjen e lartë profesionale dhe potencialin e madh të rinisë kosovare në fushën e teknologjisë.

Pjesëmarrja në konferenca të tilla shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një të ardhmeje të sigurtë dhe digjitale për Republikën e Kosovës, duke e pozicionuar Universitetin e Gjilanit si një qendër të rëndësishme për zhvillimin e inxhinierëve të rinj.

 

Shpërndaj me të tjerët