SPORT / Drita mbron titullin dhe shpallet kampione e Kosovës për të pestën herë në histori

Skuadra e Dritës ka arritur të shpallet zyrtarisht kampione e Kosovës në futboll, duke mbrojtur titullin e vitit të kaluar pas një fitoreje vendimtare kundër rivalit të drejtpërdrejtë, Ballkanit.

Në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të, të zhvilluar në një atmosferë festive në Gjilan, bardhekaltërit triumfuan me rezultat pastër 2:0, duke e mbyllur matematikisht garën për titull tre xhiro para përfundimit të edicionit.

Ky sukses shënon titullin e dytë radhazi për klubin gjilanas dhe të pestin në historinë e tyre të pasur.

Takimi nisi me një dominim të lehtë të vendasve, të cilët gjetën rrugën drejt rrjetës në minutën e 25-të, pas një aksioni të ndërtuar mirë nga krahu i djathtë.

Ishte Blerim Krasniqi ai që shërbeu saktë për kapitenin Besnik Krasniqi, i cili pasi depërtoi brenda zonës, mposhti portierin kundërshtar për të kaluar Dritën në epërsi.

Pak më vonë, Blerim Krasniqi ishte sërish protagonist, por goditja e tij nga afërsia u ndal nga shtylla horizontale, duke mbajtur në lojë ekipin mysafir.

Megjithatë, siguria e fitores dhe nisja e festës u konfirmuan përmes golit të dytë të shënuar nga Dante.

Ai u tregua më i shpejti në një tollovi të krijuar brenda zonës së rreptësisë, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke vulosur fatin e këtij edicioni.

Me këtë fitore, Drita konfirmon sërish fuqinë e saj në futbollin kosovar, duke i dhuruar tifo-grupit “Intelektualët” dhe gjithë qytetit të Gjilanit një tjetër trofe të rëndësishëm në sirtarin e tyre të sukseseve.

Shpërndaj me të tjerët