Rruga e “Kumanovës”, një lagje që po merr formë e po zhvillohet me shpejtësi, po përballet me një pamje shqetësuese.
Mbeturinat e shumta të hedhura skaj rrugës po e shëmtojnë në masë të madhe këtë pjesë të qytetit, duke mbuluar gjelbërimin e sapodalë të kësaj pranvere.
Fotografitë nga terreni dëshmojnë qartë degradimin e ambientit.
Ky shëmtim vjen kryesisht nga mbeturinat inerte dhe veprimet e individëve të papërgjegjshëm.
Përveç ndotjes, shqetësim mbetet edhe ndezja e qëllimshme e zjarreve në këto pika, gjë që vështirëson jetën normale të banorëve dhe dëmton shëndetin publik.
Rastet e tilla nuk duhet të heshten, pasi ato po shtohen dita-ditës.
Është e domosdoshme që organet kompetente të inspeksionit të jenë më prezente në këtë pjesë të qytetit për të parandaluar këtë dukuri.
Po ashtu, kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë i banorëve me organet komunale, në mënyrë që kjo lagje simpatike të mbrohet nga degradimi i mëtejshëm.

