SPORT/ Ramadani: Ky është titulli më i rëndësishëm i karrierës sime

Trajneri i FC Drita, Zekirija Ramadani, e ka cilësuar titullin kampion të sivjetëm si më të rëndësishmin në karrierën e tij si trajner.

Ai ka theksuar se ky sukses ka ardhur pas një sezoni shumë të ngarkuar, ku skuadra zhvilloi plot 52 ndeshje, rreth 20 më shumë se ekipet tjera.

“Deri në fund të kampionatit sivjet kemi zhvilluar 52 ndeshje gjithsej, 20 më shumë se ekipet tjera dhe nuk ka qenë e lehtë kjo ecuri”, ka thënë Ramadani.

Tekniku gjilanas ka komplimentuar të gjithë pjesëtarët e klubit për kontributin në arritjen e suksesit, ndërsa këtë titull ia ka dedikuar edhe vetes, duke vlerësuar sakrificën dhe punën e bërë gjatë gjithë sezonit.

Gjatë kampionatit, Drita u përball me mungesa të shumta të lojtarëve për shkak të lëndimeve, por Ramadani arriti të nxjerrë maksimumin nga futbollistët që kishte në dispozicion.

Ai njihet si trajner i matur, me disiplinë të lartë dhe rregulla strikte në aspektin teknik e taktik.

Ramadani ka bërë të ditur se kontrata e tij me Dritën është valide deri në korrik të vitit 2027.

Shpërndaj me të tjerët