Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan po bëhet gati për ngjarjen më të madhe shkencore të vitit, Konferencën Ndërkombëtare Vjetore UKZAC-2026, e cila do të mbahet më 29 dhe 30 maj në ambientet e kampusit universitar.
Me temën bosht “Ndikimi i shkencës në zhvillimin e qëndrueshëm”, kjo konferencë ka mbajtur takimin e radhës përgatitor, ku kryesuesi i Këshillit Organizativ, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, njoftoi për ecurinë e përgatitjeve dhe agjendën e pasur shkencore.
Konferenca do të jetë e strukturuar në gjashtë sesione paralele që mbulojnë fushat e edukimit, drejtësisë, ekonomisë, shkencave digjitale, matematikës dhe shkencave sociale.
Një moment i veçantë i sesionit plenar do të jetë ndarja e çmimit prestigjioz “Marin Barleti”, i cili u jepet personaliteteve të shquara për arritje të jashtëzakonshme në hulumtime shkencore.
Pjesëmarrja e folësve kryesorë nga Norvegjia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria dhe Austria dëshmon karakterin e lartë ndërkombëtar të këtij aktiviteti.
Ky forum dyditor do të shërbejë si një platformë kyçe për shkëmbimin e rezultateve shkencore mes studiuesve, edukatorëve dhe hartuesve të politikave nga rajoni dhe më gjerë, duke konfirmuar rolin udhëheqës të UKZ-së në promovimin e dijes dhe zhvillimit institucional.

